Rasti “sui generis” i një anëtari të kupolës së drejtësisë.
- Albtribune
- May 20, 2024
- 2 min read
Nga Albtribune
Ai është në pritje të nj\ë vendimi sui generis nga KPA. Sui generis sikurse trajektorja e karrierës së tij. Bëhet fjale për rastin unikal të Alfred Ballës, kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ish këshilltar në Gjykatën e Lartë, me pasuri të paluajtshme në Arizona të SHBA-së, i përballur me akuza për plagjiaturë edhe të atyre 5 fletëve të gjora të strategjisë me të cilën aplikoi për anëtar të KLP-së.
Një ndër dilemat kryesore është mbyllja e dyshimtë e procesit të vetingut të Ballës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), duke u vendosur pushimi i çështjes pa pengesë 15 vjeçare për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Ky vendim është kundërshtuar nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), i cili do të vendosë diten e nesërme. Por le të analizojmë pak detajin ligjor që bën diferencën. Balla ka qenë këshilltar në Gjykatën e Lartë dhe i nënshtrohej detyrimisht procesit të rivleresimit ex officio, sikurse të gjithë kolegët e tij i janë nënshtruar këtij procesi. Ama ndryshe nga kolegët e tij, ai nuk iu nënshtrua provimit të magjistraturës, e as rivleresimit në të tri kriteret.
Në një lëvizje po sui generis, po sigurisht aspak surprizuese për një vend si Shqipëria, Balla kandidoi për anëtar të KLP nga radhët e shoqërisë civile. Pa qenë kurrë pjese e shoqërisë civile! Me një strategji plagjiaturë nga Plarent Ndreca, për të cilën dikur ish ambasadori amerikan z. Lu, u shpreh mes koleg\ëve se “bëhej fjalë për një person dembel”. Dembel mbase për të huajt, por i nevojshëm për ngërçin e krijuar asokohe për të mbushur radhët e KLP-së dhe KLGJ-së. Por kjo i përket së kaluarës tashmë!
Pyetja që shtrohet është se përse ky subjekt ex officio i rivlerësimit, nuk i nënshtrohet këtij procesi. Për më tepër Balla kërkon emërim si gjyqtar në Gjykatën e Apelit pas mbarimit të mandatit (që në fakt ka gati gjysëm viti që ka mbaruar)! Kur vetë Balla ka refuzuar të ndjekë karierrën e magjistratit pasi nuk ka marrë pjesë në provimin e detyrueshëm të magjistraturës, ai kërkon një pozicion apeli, pa kaluar as testin logjik të kësaj shkolle, e pa iu nënshtruar asnjë prej tri shtyllave të procesit të rivlerësimit. Argumenti që mundohet Balla të sjellë është se nëpërmjet dritares, ka hyrë tashmë në radhët e llogoret e drejtësisë. Por edhe kërcimi tej një parvazi, sado i dyshimtë e sërish sui generis, kërkon veting!
Ngado ta shohësh, Balla mbetet subjekt rivlerësimi, por mbase KPA e Ina Ramës që ka punuar dikur me të në Lushnje, mendon ndryshe. Data 21 Maj mbase do e qartësojë këtë ngërç të krijuar nga anëtari sui generis i kupolës së drejtësisë shqiptare. E nëse jo, ky rast do të mbetet thjesht një histori e habitshme më shumë, habia e së cilës, sigurisht, në mënyrë aspak sui generis, do të zgjasë fare pak!
Yorumlar